Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë vendimin e qeverisë për të mbyllur TikTok në vend, por rrëzoi kërkesën e bërë nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative (BIRN) dhe Qendra për Fuqizim Ligjor.
Teksa çështja po shqyrtohet në seancë publike, AGSH, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit janë palët e interesuara.
Lidhur me vendimin e sotëm, 4 qershor, ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, ku thekson se ndalimi i një platforme të komunikimit publik pa transparencë dhe vlerësim proporcional të ndikimit të saj, përbën precedent të rrezikshëm për liritë themelore në vend.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) mirëpret vendimin e mbledhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të kaluar në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën tonë të përbashkët me organiztat partnere për shpalljen si antikushtetues të vendimit nr. 151 të datës 06.03.2025 të Këshillit të Ministrave, që ndalon përdorimin e platformës TikTok në Shqipëri. Ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet më tej në reagimin e AGSH.
Platforma kineze u mbyll në mars të këtij viti, në Shqipëri. “Procedura për mbylljen e TikTok ka përfunduar për telefonat smart dhe nga ana tjetër, mënyra për t’ju shmangur bllokimit duke përdorur VPN-të falas është shumë e rrezikshme pasi dihet botërisht se hackerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit”, deklaroi kryeministri Edi Rama lidhur me këtë vendim.
Ndalimi i aksesit në platformë u bë për një vit dhe erdhi pas një sërë konsultash me prindër e mësues, lidhur me sigurinë e fëmijëve në përdorimin e TikTok.