Ilir beqaj per sterilizimin 1024x576

Në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u mbajt seanca gjyqësore e dosjes “Sterilizimi” që prej orës 13:00, me të pandehurin ish-ministrin Ilir Beqaj.

Prokuror i çështjes është Edvin Kondili, ndërsa trupa gjykuese përbëhet nga Bib Ndreca kryesues, Flora Hajredini dhe Elsa Ulliri anëtare. Sakaq, të pandehurit janë: Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapaj, Matilda Serjani, Samir Kadiu, Petraq Mersini, Arben Gjata, Genci Byrazeri dhe Nail Ajazi.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në deklaratën e tij para trupit gjykues ka shprehur se ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme një vendim të vitit 2017, në të cilën thuhet se është pushuar çështja e “Sterilizimit” nga Prokuroria e Tiranës. Ai ka kërkuar që kjo të merret si një provë.

“Mbrojtja ime ka marrë një përgjigjie nga zoti Kondili, si prokuror i çështjes për një kërkesë që i kemi bërë SPAK. Unë kam kërkuar nga SPAK që të marrë një vendim të 2017 nga prokuroria e krimeve të rënda. E kam bërë disa herë këtë kërkesë.  SPAK nuk ma vendosi në dispozicion, e gjeta tek Kuvendi këtë vendim, që shkoi tek Kuvendi për komisionin hetimor. Vendimi ka të bëjë me një vendim të Prokurorisë së Tiranës për pushim të çështjes për dosjen e sterilizimit. Prova të pafajësisë sipas meje nuk i shqyrton organi procedues, e ka detyrim ligjorë të kërkojë si prova për fjalinë ashtu edhe për pafajsinë e një të pandehuri. Dua që ky vendim të merret nga gjykata dhe të shqyrtohet si prove”, tha Beqaj.

Prokurori Kondili shtroi e një herë kërkesën e tij që Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj, të gjykohen për “vjedhje”, duke shpërdoruar detyrën, si dhe për veprën penale “grup i strukturuar kriminal”.

Kundërshtime ka pasur nga pala e Beqajt, së bashku me avokatin e tij, Ermal Yzeiraj. Ky i fundit është shprehur se është i paqartë me akuzën e SPAK-ut ndaj klientit të tij.

“Unë jam i paqartë për akuzat, pasi prokuroria nuk e ka saktësuar akuzën, sepse verbalisht thonë vjedhje duke shpërdoruar detyren dhe grup kriminal, ndërsa me shkrim është shpërdorim detyre. Unë jam i paqartë për cfarë do të mbrohem”, u shpreh avokati Ermal Yzeiraj.

Në mbështetje ishte dhe Beqaj, i cili u shpreh “Unë jam përgatitur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Sic më ka arsyetur për shpërdorim detyre dhe duhet të arsyetojë pse është vjedhje. Ju s’e keni thënë kurrë këtë akuzë, keni thënë vetëm fjalën pranojmë. Pa një formuli të saktë të akuzës nuk mund të përgjigjem. Në 3 krerë të ndryshëm na kanë venë nene të ndryshme të Kodit Penal. Ne jemi bërë si autoshkollë, unë nuk bëj dot mbrojtje efektive pa një akuzë të shkruar.”

Në përmbyllje të këtyre, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, do të gjykohet nga GJKKO-ja për veprat penale “vjedhje” duke shpërdoruar detyrën, dhe “grup i strukturuar kriminal”. Kështu, Ilir Beqaj do të gjykohet i vetëm me procedurë normale, ndërsa të gjithë të pandehurit e tjerë në gjykim të shkurtuar. Pritet hedhja e shortit, që do caktojë trupin e ri të gjyqtarëve në ngarkim të gjykimit të Beqajt.

Nga ana tjetër, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj për shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e saj në një gjykatë tjetër, për shkak se kjo çështje është kompetencë e SPAK-ut.

Seanca e radhës gjyqësore për 8 të pandehurit, me përjashtim të Beqajt, do të mbahet më 11 qershor, ora 10:00.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights