Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se revolucioni paqësor duhet të vijojë, jo vetëm me protesta paqësore, por edhe me mosbindje civile.

Në një takim me drejtuesit politik të qarqeve, Berisha foli për fillimin e revolucionit, duke e konsideruar një fillim të mbarë.

“Në kushtet e këtij monizmi, i cili ka asgjësuar ligjet, Kushtetutën, shtetin ligjor, pa një elektroshok të këtij sistemi, pa një përmbysje të tij, unë nuk di si mund të ketë zgjidhje tjetër. Ndaj dhe ne, duhet të bëjmë një punë të jashtëzakonshme për të bindur shqiptarët në këtë tezë. Për të tërhequr shqiptarët në këtë lëvizje, për ta shndërruar këtë në një çështje të të gjithë shqiptarëve. Mendoj se jemi në fillimet e tij, por fillime shumë të mbara. Mos harroni një gjë, nga viti 1991, këto janë protestat e para në historinë e Shqipërisë në të cilat forca politike, që organizon ato, ka vetëm një funksionar në shtet, një kryetar bashkie. Prandaj dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht pozitive. Këto janë fillesat e një revolucioni. Edi Rama gjatë viteve në bashki organizoi 753 protesta. Por nuk realizoi asnjë të vetme pasi iku nga bashkia. Pra, ishin protesta të qeveritarëve, të zyrtarëve. Jo të qytetarëve të revoltuar. U ndala këtu për të theksuar se fillimi është shumë i mirë. Imagjinoni sakrificën e atyre njerëzve për të mbushur sheshin si kurrë më parë”, tha ai.

Po ashtu, Berisha theksoi se, “ne duhet të përgatitemi. Mosbindja civile është element thelbësor i revolucionit paqësor”.

“Por, revolucioni paqësor nuk është vetëm revolucion i protestave paqësore. Është revolucion i mosbindjes civile para të gjithash. Ne duhet të përgatitemi. Mosbindja civile është element thelbësor i revolucionit paqësor. E ka thënë Mahatma Gandi: është e shenjtë. Ne kemi një përqindje shumë të madhe të popullatës që e urren Edi Ramën, kemi një përqindje që na përgjigjet, del në protestë. Por pjesa tjetër kërkon të shohë shembuj të tjerë te ne. Nëse nuk rrëzohej shtatorja e Enver Hoxhës, të harroni se do fitonim zgjedhjet më 22 mars. Pra, duhet të japim mesazhe shumë të qarta anëtarësisë sonë, demokratëve tanë, që sakrificat më të mëdha na presin përpara nëse qëndrojmë të vendosur për të përmbushur misionin tonë. Ndaj dhe duhet të ndërmarrim një debat intensiv me anëtarësinë tonë, duhet të ndërmarrim një debat intensiv me mbështetësit tanë, duhet të ndërmarrim një debat intensiv me qytetarët.Duhet krijuar një situatë e përgjithshme proteste, revolte, reagimesh”, tha ai.

Gjithashtu, Berisha tha se, Edi Rama nuk besoj se ikën me votë.

“Nuk mund të ecet kurrë ‘business as usual’. Regjimi nuk rrëzohet. Është e domosdoshme që kryetarë grupesh të organizojnë mbledhjet në kryesitë e degëve, në aktivët e degëve, në takime intensive të hapura me qytetarët. Thashë dhe njëherë, kam mirëkuptim për të gjithë ata që e shohin me skepticizëm revolucionin, për të gjithë ata që ky term u duket i largët ose joreal. Por kur shoh vendin tim, që rrokulliset dhe shuhet në këtë mënyrë, secili duhet t’i shtrojë pyetjen vetes: si mund ta shpëtojë?Mund ta shpëtojmë vetëm duke u bashkuar. Ky regjim nuk ikën ndryshe. Nëse ndonjë mendon se ky ikën me votë, personalisht nuk besoj se ikën me votë. Çdo ditë tregon se ky shtetin mafioz po e shndërron gjithnjë e më shumë në makineri mafioze elektorale. Njerëzit na mbështesin! Protesta të tilla nuk ka parë Shqipëria .Do të doja që këtë diskutim ta kemi të lirë, ndaj dhe mediet të na falin se ky është një takim pune me të cilin ne duhet të debatojmë lirshëm për të arritur në përfundime sa më të drejta, sa më të sakta”, tha Berisha.

https://www.facebook.com/blueledED/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights