Nëse keni fëmijë jashtë vendit, paratë dërgojani direkt atyre. Mos ia jepni kurrsesi një të huaji, apo dikujt që shtiret si mik i tyre. Ndoshta për disa mund të duket e çuditshme, por një rast i tillë është zbuluar nga policia e Tiranës.
Kjo e fundit, në një njoftim për mediat tha se kishte vënë në pranga një 64-vjeçar, i cili kishte mashtruar qytetarë të ndryshëm duke u marrë atyre shuma nga 500-1000 euro. Mbetet e paqartë se cila ishte ekzaktësisht loja e tij, megjithatë policia thotë se ai u prezantohej familjarëve si mik i fëmijëve të tyre, që jetonin jashtë vendit. I arrestuari rezulton të jetë dënuar edhe në të shkuarën për mashtrim.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “The friend”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit: S. L., 64 vjeç, banues në Tiranë. Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, me anë të mashtrimit përfitonte shuma të ndryshme parash, nga 500-1000 euro, nga qytetarë të ndryshëm, duke iu prezantuar si mik i fëmijëve të tyre, që jetonin jashtë vendit”, tha policia e Tiranës në një njoftim për mediat.