Ka startuar Forumi Ekonomik Ndërkombëtar në Tiranë “Iniciativa e Investimeve të së Ardhmes”, ku prezentë janë edhe Presidenti francez Emmanuel Macron dhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.
Në fjalën e tij nga TKOB, kryeministri Edi Rama ritheksoi mirënjohjen e tij për vizitën e Macron në Shqipëri.
“Kam kënaqësi, por jam edhe i tmerruar sepse të flasësh menjëherë para Emmanuel-it nuk është më e mira, sepse ai di si të flasë dhe vjen nga një jetë ku i është dashur të merret me njerëz e kapitale, ndërsa mua më është dashur të merrem me ngjyrat dhe ekspozitat. Mendoj që është një mënyrë për të thelluar e folur për tarifat e padrejta. Përpara se sa të vazhdoj më tej dua të shpreh mirënjohjen e kënaqësinë e madhe që kam për një njeri që e admiroj dhe ai admirohet nga të gjithë saqë është ulur mes meje e Presidentit të Francës, Jasir faleminderit shumë që erdhe! Më së fundi bëmë një gjë përpara Francës që është një fillim i mirë!”
Më tej, iu drejtua të pranishmëve duke thënë se Shqipëria ka nevojë për njerëz që e besojnë.
“Ne iu ofruam majën e gastronomisë që t’i bënim të ndiheshin sa më mirë dhe besoj që ia dolëm me sukses. Jemi këtu për të përcjellë mesazhin se ky vend do më shumë dhe ka nevojë për më shumë njerëz që të na besojnë. E mira e Shqipërisë është se ne jemi miq të mirë me shumë njerëz. Ne duam që miqtë e të ftuarit të thonë që ne jemi partnerë strategjikë të BE-së e Europës, por ne kemi partneritet edhe me Arabinë Saudite dhe kemi ndjekur vizionin, shtysën, ambicien e Madhërisë së tij, Presidentit të Emirateve të Bashkuara. Po përpiqemi të mësojmë nga realitete të ndryshme.”
Theksoi se Zoti e shpëtoi Presidentin amerikan Donald Trump sepse ai ka një plan edhe për Europën. (referuar atentatit gjatë fushatës elektorale në SHBA)
“Dua të ndaj me ju bindjen se kur dëgjova Presidentin e Shteteve të Bashkuara teksa fliste për një epokë të artë që po afron, ndjesia ime ishte që një epokë e artë mund të çelet edhe për Europën. Gjithçka do të varet nga sa shpejt do të mendojmë jashtë kornizës. Europa mund dhe duhet të mendojë të bëjë të pamendueshmen!”, tregoi Rama.