Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton mundësinë se mund t’i bashkohet bisedimeve Ukrainë-Rusi në Turqi këtë javë, ndërsa vendet evropiane po shtyjnë Kremlinin të pranojë kërkesën e tyre për një armëpushim 30-ditor në luftën në Ukrainë.
Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se bisedimet në Stamboll mund të jenë të dobishme.
“Takimi i së enjtes me Rusinë dhe Ukrainën është shumë i rëndësishëm. Unë këmbëngula shumë që ai takim të zhvillohej. Mendoj se nga ai takim mund të dalin gjëra të mira. Mos e nënvlerësoni të enjten në Turqi. Presidenti Erdogan do të jetë një mikpritës i shkëlqyer”, tha Donald Trump.
Ndërkaq, presidenti ukrainas vuri në dukje se sulmet ruse kishin vazhduar në vijat e frontit. “Bombardimet dhe sulmet ruse vazhdojnë. Moska ka heshtur në lidhje me propozimin për një takim të drejtpërdrejtë. Një heshtje shumë e çuditshme”, tha Zelensky.
Zelenskiy dhe Presidenti turk Tayyip Erdogan diskutuan në një bisedë telefonike për bisedimet e drejtpërdrejta të propozuara, të cilat Zelenskiy tha se “mund të ndihmojnë në përfundimin e luftës”. Erdogan e përshkroi takimin si një dritare të re mundësish që nuk duhej humbur.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov foli në telefon me homologun e tij turk Hakan Fidan në lidhje me bisedimet e propozuara të Putinit me Ukrainën të enjten por nuk dha asnjë tregues nëse Putin do ta pranonte propozimin e Zelenskiy-t për t’u takuar me të. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se armëpushimi 30-ditor ishte propozuar nga vendet evropiane “do t’i jepte Kievit një mundësi për të rivendosur potencialin e tij ushtarak dhe për të vazhduar përballjen me Rusinë”.
Ndërkaq shumë vende europiane do të fillojnë përgatitjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë, nëse Kremlini nuk fillon të zbatojë një armëpushim 30-ditor në luftën e saj me Ukrainën. Megjithatë, është e paqartë se sa ndikim do të kenë sanksionet e reja evropiane mbi Rusinë, veçanërisht nëse Shtetet e Bashkuara nuk bashkohen në takim.