Irani dhe Shtetet e Bashkuara zhvilluan një raund të katërt negociatash mbi programin bërthamor të Teheranit, përpara vizites së Presidentit Donald Trump në Lindjen e Mesme këtë javë.
Bisedimet zgjatën rreth tre orë në Muscat, kryeqytetin e Omanit, i cili ka ndërmjetësuar negociatat. Ministri i Jashtëm Abbas Araqchi tha se bisedimet e fundit midis negociatorëve të Iranit dhe SHBA-së për të zgjidhur mosmarrëveshjet ishin më serioze dhe më të drejtpërdrejta sesa raundet e mëparshme.
“Mund të them se krahasuar me tre raundet e mëparshme, negociatat ishin shumë më serioze dhe të drejtpërdrejta. Tani kemi hyrë në çështje më specifike. Të dyja palët i kuptojnë më mirë qëndrimet e njëra-tjetrës.”
Trump, i cili ka kërcënuar me veprime ushtarake kundër Iranit nëse diplomacia dështon, ka ushtruar presion maksimal ndaj Teheranit që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në Janar. Teherani është i gatshëm të negociojë disa kufizime në programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve, sipas zyrtarëve iranianë, por ndërprerja e programit të pasurimit ose dorëzimi i rezervave të uraniumit janë vijat e kuqe të Iranit që nuk mund të diskutohen.
Një zyrtar i lartë iranian pranë ekipit negociator tha se kërkesat e SHBA-së për “zero pasurim dhe çmontim të centraleve bërthamore të Iranit nuk do të ndihmonin në përparimin e negociatave”.