“Është një ndryshim në ton, një ndryshim në realitet, me të vërtetë po, dhe unë nuk dua të përfshihem në realitetin e ndryshuar që po më paraqitet”, tha Zelensky kur u pyet për vizitën e tij në Shtëpinë e Bardhë më 28 Shkurt.
Një numër liderësh evropianë dënuan sulmin në Sumy të Ukrainës duke shprehur mbështetje për Ukrainën. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e quajti sulmin ‘barbar’, ndërsa liderë të tjerë, si presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, shprehën solidaritetin për viktimat dhe familjet e tyre.
“Të gjithë e dinë se vetëm Rusia e dëshiron këtë luftë. Është e qartë se Rusia dëshiron të vazhdojë luftën, duke treguar përbuzjen e saj për jetën njerëzore, ligjin ndërkombëtar dhe përpjekjet diplomatike të bëra nga Presidenti Trump,” tha presidenti francez Emmanuel Macron.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se ai ishte “i tmerruar nga sulmet e tmerrshme të Rusisë ndaj civilëve në Sumy”, duke shtuar se Putin “tani duhet të pajtohet për një armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm pa kushte”.
Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dënoi sulmin duke e cilësuar atë një akt frikacak nga pala ruse.
Ndërkaq pas sulmit në Sumy, forcat ruse kanë kryer një tjetër sulm me dron në qytetin port të Detit të Zi të Odesa. Pesë persona mbetën të plagosur dhe dronët dëmtuan një strukturë mjekësore. Video e dëshmitarëve okularë e filmuar në qytetin jugor të Ukrainës, Odesa, tregon pasojat e asaj që la sulmi rus.