Më 14 Prill në Luksemburg raundi tjetër i bisedimeve BE-Shqipëri.
Data është konfirmuar zyrtarisht nga presidenca polake e BE-së për çeljen e grup-kapitullit të dytë të negociatave me vendin tonë.
Vendimi u mor sot me konsensus të ambasadorëve të 27 shteteve anëtare të BE-së në Bruksel. Në këtë raund të ri bisedimesh do të hapet grup-kapitulli i dytë i negociatave për tregun e brendshëm.
Më 15 Tetor, me Shqipërinë u hap grup-kapitulli i parë ai për çështjet themelore që përfshin reformat në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore si dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Më 17 Dhjetor janë hapur diskutimet për grup-kapitullin e 6-të, atë për marrëdhëniet e jashtme, politikën e sigurisë dhe atë të mbrojtjes.
Të Martën, ministrat e jashtëm diskutojnë edhe për përshpejtimin e zgjerimit me shtetet ballkanike ku vendi ynë dhe Mali i Zi janë në pararojë të këtij procesi.