Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha pasditen e sotme se nuk ka ndonjë interes në lidhje me vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për mosregjistrimin e Partisë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën në zgjedhjet lokale të 14 majit.
“Për mua ka rëndësi që për 60 ditë shqiptarët do të kenë mundësi të ndëshkojnë më votë këte sistem monist. Janë katër vite të humbura”, tha Meta.
“Me Partinë Demokratike kemi një marrëveshje të bërë publike prej kohësh. Për mua ka rëndësi që për 60 ditë do të shkojmë në zgjedhje. Koalicioni është firmosur prej muajsh”, vijoi ai komentet në një intervistë televizive.
“Regjistrimi i kandidatëve është një cështje teknike. Opozita shkon e sigurt dhe e bashkuar drejt një fitoreje historike. Komentet për Bashën janë bërë me kohë. Nuk dua të hyj në cështjen e Partisë Demokratike sepse e ka zgjidhur populli në 6 mars, e kanë zgjidhur dhe anëtarët e Partisë Demokratike por e zgjidhi dhe gjykata. Jemi drejt triumfit të opozitës kundër një regjimi monist”, u shpreh Meta.