Whatsapp image 2025 03 27 at 14.52.41 1024x683

Përpara shoqatave të biznesit Sali Berisha premtoi revolucion fiskal që nis me uljen e taksave në dy prej sektorëve që ai thotë se po mbajnë aktualisht në këmbë ekonominë, ndërtimi dhe turizmi.

“Taksat e ndërtimit, janë absurde. Do marrin fund, rikthehen tek nivelet më të ulëta absolutisht me një indeksi të asaj që ka qenë dhe jo 10 herë më e lartë se sa është sot”, tha Berisha.

Përjashtim nuk bën edhe ajo që e cilëson si taksa “Rama”.

“Taksa e plehrave, taksa Rama. Ky është një nga aktet më korruptive”, tha Berisha.

Krahas uljes në 2% të taksës për shitjen e pronës, Berisha premton gjetjen e një mekanizmi edhe për detyrimet që rrjedhin nga mosshitja e tyre.

“Taksa për pronat e pashitura. Do gjejmë një mënyrë që ndërtuesi të mos ndërtojë dhe të presë vetë pa i shitur, por jam dakord që të mos trajtohen sikur janë shitur dhe po përdoren”, tha Berisha.

Nga biznesi kërkoi reagim kundër narko euros, e cila tha se më së shumti ka goditur ndërtimin.

“Do krijojmë bordin që do bëjë vlerësim dinamik dhe që do kompensojë çdo eksportues masën e dëmit që i vjen nga lëvizja  e kursit të këmbimit nga euro”, tha Berisha.

Jo vetëm ky sektor, por edhe turizmi thotë se është infektuar rëndë nga narkoeurot, duke sjellë si shembull Portin e Durrësit.

“Porti i Durrësit ka vetëm një funksion, të mos kapet asnjë kilogramë drogë. E ka marrë Poja tani, kapobanda e Durrësit”, u shpreh Berisha.

Rimëkëmbjen e ekonomisë Berisha thotë se e sheh vetëm përmes një programi që në themel ka taksat e ulëta, rikthimin tek taksa e sheshtë 10%, uljen e TVSH-së në 15%, uljen e çmimit të karburanteve, si dhe atë të energjisë me 6 lekë për kilovat për biznesin. Dhe sa herë flet për program, pa shigjetuar nuk lë Edi Ramën, që së fundmi e akuzoi se ia ka kopjuar atë.

“Del tani e thotë paga 500 euro, po pse s’e bëri ky”, tha Berisha.

Në një tjetër dalje nga selia blu, Kryeministrin e akuzoi edhe për grabitje të një prone në Vuno.

“Me emrin e mamasë së tij dhe vëllait të tij, në bashkëpunim me kushërinjtë e tij, i kanë bërë shtetit dhe Kishës Ortodokse shqiptare, duke i grabitur 224 mijë metër katrorë”, tha ai.

Në mungesë të besimit tek drejtësia, Berisha tha se këtë çështje do e dërgojë tek institucionet ndërkombëtare.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights