Bashkimi Evropian përgëzoi të premten udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit, për finalizimin e një marrëveshjeje paqeje dhe u kërkoi atyre që ta nënshkruajnë traktatin së shpejti.
Fqinjët e Kaukazit thanë të enjten se kishin përfunduar bisedimet që synonin zgjidhjen e konfliktit të tyre prej dekadash, me të dyja palët që ranë dakord mbi tekstin e një traktati të mundshëm.
“Një hap vendimtar drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe hapjes së rajonit”. shkroi në X shefi i Këshillit Evropian Antonio Costa
Ministria e Jashtme armene në Jerevan njoftoi të enjten se marrëveshja është gati për t’u nënshkruar.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit në Baku theksoi gjithashtu se negociatat kishin përfunduar, por vuri në dukje se Armenia duhet të ndryshojë kushtetutën e saj dhe të heqë dorë nga të gjitha pretendimet territoriale ndaj Azerbajxhanit.
Kërkesa e Bakut është që të hiqet nga kushtetuta e Armenisë çdo referencë për shpalljen e saj të pavarësisë, e cila është një pohim i pretendimeve të saj territoriale mbi Nagorno-Karabak.