640 0 1741986601xlih 238

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e Fatbardh Liçit në Shkodër ngjarje e ndodhur në 10 gusht të vitit 2018. Lidhur me ngjarjen i dyshuar kryesor është Safet Bajri ndaj të cilit gjykata ka caktuar arrest me burg, ndërsa dyshohet se e implikuar në ngjarje është edhe e dashura e këtij të fundit Eria Ago.

Sipas dosjes hetimore të SPAK, dyshohet se Ago ka ndihmuar në transportimin e autorëve të ngjarjes. Në dosje thuhet se pas vrasjes së Licit, Eria Ago ka marrë me makinë nga vendi i ngjarjes Astmer Bilalin dhe e ka sjellë në Tiranë ndërsa Safet Bajri ka qëndruar në Shkodër.

“Vrasja e shtetasit Fatbardh Lici ka ndodhur rreth orës 07:00 dhe biseda zhvillohet 20 minuta pas vrasjes, kohë në të cilën rezulton se mjeti tip ‘Benz’ me targë AA 989 TE, që shfaqet në vendin e ngjarjes, po drejtohej nga shtetësja E.A. Nga kjo telefonatë kuptohet që shtetasi Astmer Bilali është nën shoqërinë e shtetasit Safet Rustemi dhe bisedon me të dashurën e Safetit. Nga kjo telefonatë kuptohet gjithashtu që personat nën hetim janë në shoqërinë e njëri-tjetrit, dhe se mjeti tjetër përdoret nga E…”, thuhet në dosjen hetimore.

Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Shkodrës e cila më pas i ka kaluar SPAK, zbardhen edhe lëvizjet dhe bisedat që kanë zhvilluar autorët e dyshuar me njëri tjetrin fill pas ngjarjes. Ndërkohë vetë Ago i ka mohuar pretendimet e prokurorisë së Posaçme, duke deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se ditën kur është vrarë Fatbardh Lici, ajo ka qenë në Tiranë dhe jo në Shkodër.

“Pasi personat kanë kryer vrasjen, personi nën hetim Safet Rustemi ka qëndruar në Shkodër, ndërsa personi në hetim Astmer Bilali është larguar menjëherë për në Tiranë së bashku me shtetasen E.A. Pasi ka arritur në Tiranë, ai i ka kërkuar rojes së parkimit në zonën e ish-kinemës ‘Partizani’ dhe ka komunikuar me shtetasin Denis Brajoviqin, ku i ka bërë me dije se automjetin ia ka lënë dyshohet tek shtetasi Pëllumb Gjoka. Ai ka komunikuar edhe me personin nën hetim Behar Bajri, të cilit i ka kërkuar që të zbriste dhe t’i linte çelësat. Më pas ai është larguar në drejtim të Vlorës. Këto rrethana rezultojnë të provuara nga komunikimet e shumta telefonike të kryera ndërmjet personave nën hetim, si dhe nga komunikimet e kryera nga personi nën hetim Astmer Bilali me shtetasen E.A., si dhe nga tabulatet telefonike, pamjet filmike dhe vendndodhjet e personave nën hetim,” thuhet në dosjen hetimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights