Avokati i Mario Përlleshajt, autorit të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për tu liruar nga burgu.
Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi më 10 shkurt kërkesën e Përlleshajt për zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg”. Ndaj 14-vjeçarit rëndon akuza e “Vrasje në rrethana cilësuese”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Përlleshaj mbahet te burgu i të miturve në Kavajë. Sipas Kodit Penal për këtë vepër dënimi varion nga 20 vite deri në burgim të përjetshëm, por për shkak të moshës së mitur të autorit, maksimumi i dënimit për të është 12 vite burgim.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare ‘Fan Noli’. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj.
Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Meçja i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili mori dëmtime në dorë dhe u trajtua në spital privat për disa ditë pas ngjarjes së rëndë.