Opinion nga: Mero Baze
Dashamir Sula në Elbasan po ashtu është tërhequr. Nuk dihet çfarë do bëjë Bardh Spahia në Shkodër, por si fitues i primareve, ai është dukshëm i përsekutuar duke u shmangur nga lista e mbyllur.
Të gjithë ata që kanë kryesuar në primaret brenda PD-së dhe që Berisha po u ofron listën e hapur, thuajse po tërhiqen. Fituesi i primareve të Qarkut të Tiranës u tërhoq. Igli Cara në Durrës paralajmëroi tërheqjen, por në fund Berisha u tremb dhe u detyrua ta fuste në listë të mbyllur.
Tabaku dhe Alimehmeti në Tiranë ndoshta do të jenë duke marrë një vendim për të qëndruar në garë për sedër, por nëse PD merr një vend më shumë se lista e mbyllur, atë e merr Ilir Meta.
Dashamir Sula në Elbasan po ashtu është tërhequr. Nuk dihet çfarë do bëjë Bardh Spahia në Shkodër, por si fitues i primareve, ai është dukshëm i përsekutuar duke u shmangur nga lista e mbyllur.
Por përtej luftës së klaneve dhe llogarive të Berishës për të krijuar një listë të sigurtë besnikësh, refuzimi për të hyrë në listë të hapur tregon mosbesimin e thellë të luftëtarëve kryesorë të PD-së për fitoren e Berishës. Është kjo arsyeja që ata refuzojnë të jenë në listën e hapur.
Një parti që mendon vërtet se do të fitojë zgjedhjet, natyrisht nuk e refuzon listën e hapur. Por udhëheqësit e primareve e dinë fare mirë, se kandili i PD-së fiket pas listës së mbyllur. Ata e dinë më mirë se të tjerët se PD nuk shkon dot përtej listës së mbyllur, përveç ndonjë deputeti në Tiranë, Shkodër apo Lezhë.
Një sondazh i Eurobarometrit që u transmetua një natë më parë, tregon se 57 për qind e votuesve të PD-së nuk e dëshirojnë Sali Berishën kryeministër, ose së paku nuk besojnë se ai do të bëhet. Pra, 1 në 2 demokratë e di që nuk do të fitojnë, dhe thuajse të gjithë fituesit e primareve që nuk futen në listë të mbyllur, e dinë këtë. Ata janë aty thjesht që të mbeten në politikë me shpresë se pas Berishës gjërat do të ndryshojnë.
Dhe ata janë kasandrat më të këqija për Berishën më 11 maj. Fakti që atë nuk e besojnë fitimtarët e partisë, tregon shumë për sa pak e besojnë ata që as votat e PD-së nuk marrin. Përveç atyre që ai i ka futur deputetë me emërim, thjesht se i duhen si badigardë pas humbjes më 11 maj. Janë ushtria që do t’i ruajë atij PD-në e vdekur më 12 maj, që ta marrë me vete.