Kërcënimet e Donald Trump nuk nxitën aspak Moskën të ndryshojë mendje. Sulmet e ashpra ndaj Ukrainës vazhduan edhe natën mes të premtes dhe të shtunës, duke shkaktuar të paktën 14 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Sulmi më i përgjakshëm ishte ai i Dobropilias, një qytezë në veriperëndim të Donetskut, në atë pjesë të vogël të këtij rajoni të mbetur nën kontrollin e ukrainasve.
Sipas palës ukrainase, 8 pallate banimi u goditën nga dronët dhe raketat ruse, duke vrarë 11 persona e duke plagosur 30 të tjerë. Rusët po përpiqen të pushtojnë të gjithë rajonin e Donetskut. Viktima pati edhe nga sulmet që vazhduan në Harkiv që nga e premtja.
Për Volodymyr Zelensky-n, kjo valë sulmesh tregon qartë se synimi i rusëve në fushatën e Ukrainës për të pushtuar territore nuk ka ndryshuar. Pas nisjes së valës së goditjeve me dronë dhe raketa të premten, presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi Moskën se do të përballet me sanksione dhe tarifa të paprecedenta që do të godasin akoma më rëndë ekonominë ruse.