Spak 1068x607 1 sd sd 752x440

SPAK ka realizuar një tjetër goditje të rëndësishme në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, duke sekuestruar 31 pasuri të shtetasve Jusel Mici dhe Mendim Domi, të cilët akuzohen për organizimin dhe pjesëmarrjen në grupin kriminal “Call Center”. Pasuritë e sekuestruara përfshijnë 3 llogari bankare me një vlerë rreth 200 mijë euro, 5 apartamente, 6 garazhe, 1 dyqan, 2 vila, 3 makina luksoze, tokë dhe 60% të aksioneve në një shoqëri biznesi.

Sipas SPAK, pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikueshme nga burime ligjore dhe dyshohet se janë pasojë e veprimtarisë kriminale të personave të akuzuar dhe të lidhur me ta. Domi dhe Mici u arrestuan në vitin 2022 dhe akuzohen për përfshirje në grupin kriminal që ka përvetësuar 15 milionë euro nga qytetarët europianë përmes mashtrimit kompjuterik.

Grupi kriminal, i njohur për operacionet e tij të mashtrimit “online”, lidhej me investime të rreme në letra me vlerë dhe kriptovaluta. Ata përdornin shoqëri fiktive për kalimin e vlerave monetare të mashtrimit dhe organizonin call center në Shqipëri dhe Itali për të kontaktuar viktimat dhe i bindur ata të investonin në programe të rreme investimi.

Pas përvetësimit të shumave, grupi kriminal kryesisht i konvetonte paratë në kriptovaluta ose realizonin transaksione të shumta për të blerë pasuri të paluajtshme. Pjesëmarrësit në këtë grup dyshohen se kanë krijuar një rrjet mashtrues dhe janë akuzuar për pastrim parash dhe fshehje të të ardhurave të paligjshme.

Mici akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, mashtrimin kompjuterik, fshehjen e të ardhurave dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Ndërkohë, Domi akuzohet për mashtrim kompjuterik, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, fshehje të të ardhurave dhe pastrim të produkteve të veprës penale, në bashkëpunim me Micin. Hetimet janë ende në vazhdim dhe SPAK po monitoron mundësinë e zbulimit të pasurive të tjera të fshehura nga ky grup kriminal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights