Republika Srpska, entiteti autonom brenda Bosnje-Hercegovinës, ka miratuar një paketë ligjesh që ndalon ndërhyrjen e institucioneve gjyqësore dhe policore të nivelit shtetëror në territorin e saj. Ky hap ka rritur tensionet politike në vend dhe ka ngjallur reagime ndërkombëtare, veçanërisht pas dënimit të liderit separatist Milorad Dodik nga një gjykatë në Sarajevë.
Vendimi për Dodikun, i cili e ndalon atë të mbajë poste politike për gjashtë vite dhe e dënon me një vit burg, u kundërshtua ashpër nga Rusia, e cila e cilësoi këtë veprim si të motivuar politikisht dhe paralajmëroi për rrezikun e destabilizimit të rajonit. Dodik u shpall fajtor për miratimin e një ligji që sfidonte kompetencat e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit ndërkombëtar Christian Schmidt, përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995.
Në përpjekje për të forcuar pavarësinë e entitetit, Parlamenti i Banja Lukës miratoi gjithashtu një ligj për krijimin e një Këshilli të Lartë Gjyqësor dhe Prokuror të pavarur nga ai shtetëror. Dodik u bëri thirrje serbëve të punësuar në institucionet kombëtare të drejtësisë të japin dorëheqjen dhe t’i bashkohen strukturave të reja të Republikës Srpska.
Një tjetër vendim kontrovers ishte miratimi i një ligji që klasifikon OJQ-të e financuara nga jashtë si “agjentë të huaj”, duke sjellë shqetësime për lirinë e shoqërisë civile në rajon.
Kriza e tanishme risjell në vëmendje të kaluarën e përgjakshme të Bosnjës, ku lufta e viteve 1992-1995 mes serbëve të Bosnjës, kroatëve dhe myslimanëve boshnjakë shkaktoi mbi 100,000 viktima, duke qenë një nga konfliktet më të ashpra të shpërbërjes së Jugosllavisë federale.