Në seancën e kësaj të marte, i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka vazhduar të japë dëshmi të tjera mbi krimet për të cilat ai është i përfshirë. Gjatë dëshmisë së tij, Dumani ka pohuar se ka pasur një takim me Erion Alibejn, ku ata kanë diskutuar për eliminimin e dy personave: Talo Çelës dhe Altin Ndocit.
Dumani shpjegoi se nuk kishte ndërmend të kryente vrasjet vetë, por kërkoi që Alibejt dhe njerëzit e tij të mernin përsipër këtë detyrë. Ai theksoi se pas këtij takimi, gjithçka ka marrë një drejtim tjetër, dhe së bashku kanë vendosur të veprojnë për eliminimin e kundërshtarëve të tyre.
Në një tjetër pjesë të dëshmisë, Dumani tregoi se ata hartuan një listë të mundimshme për personat që duhej të vriteshin, duke theksuar se ekzekutimet do të ishin spontane dhe pa një plan të qartë. Ai përmendi se fillimisht synonin Durrësin dhe Elbasanin si zona për të nisur eliminimet. Dumani përmendi emrin e Emiljano Ramazanit, të cilin e kishin më të lehtë ta vrisnin dhe, sipas tij, ai ishte viktima e parë e këtij plani.
Më pas, Dumani tregoi për vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, ngjarje e ndodhur në shtator të vitit 2020. Ai shpjegoi se kishte njohuri të plota për rutinën e Bujarit, duke e ditur që ai shkonte çdo mëngjes për të pirë kafe. Pas një përgatitje të kujdesshme, Dumani tha se ata vendosën të vrisnin Bujar Çelën pasi ai kishte humbur një mik të ngushtë, Klevis Kapllanin. Dumani theksoi se vrasja ishte kryer me armën që i kishte dhuruar Talo Çela.