Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të zhvillojë një dëgjesë me rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, lidhur me masat e sigurisë të vendosura nga SPAK ndaj 24 anëtarëve të stafit të këtij institucioni. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se kjo çështje ka nevojë për sqarim, pasi masat janë marrë “pa gjyq”.
“Ditën e mërkurë, në orën 09:00, rektori Sallaku do të dëgjohet nga grupi parlamentar i shumicës qeverisëse mbi 24 masa sigurie të vendosura pa gjyq për stafin dhe pedagogët e universitetit, lidhur me disa procedura të viteve të shkuara,” deklaroi Rama në rrjetet sociale.
Sallaku vetë nuk është mes personave nën hetim, por ka shprehur shqetësimin e tij për situatën, duke e cilësuar atë si një keqkuptim dhe duke kërkuar transparencë. Ai theksoi se universiteti ndodhet në një fazë transformimi të rëndësishëm, me synimin për të njehsuar diplomat me Universitetin BOKU të Vjenës deri në vitin 2030.
Ndërkohë, hetimi i nisur nga SPAK ka si bazë një procedim penal të vitit 2022, i cili ka çuar në arrestimin e pesë personave, ndërsa të tjerë ndodhen në masë sigurie si arrest shtëpie apo detyrim paraqitjeje. Kjo çështje ka ndezur debate të shumta në opinionin publik, ndërsa seanca dëgjimore pritet të sjellë më shumë qartësi mbi këtë proces.