Meta kryemadhi 770x433 1

Seanca e parë gjyqësore për divorcin mes deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, dhe ish-presidentit Ilir Meta është shtyrë për më 11 prill, pasi Kryemadhi nuk u paraqit në gjykatë pa dhënë një arsye për mungesën e saj.

Në këtë seancë ishte parashikuar të shqyrtohej mundësia e pajtimit mes palëve, por mungesa e saj bëri të pamundur vijimin e procesit. Edhe Ilir Meta nuk ishte i pranishëm, duke autorizuar avokatin e tij, Genc Gjokutaj, për ta përfaqësuar. “Seanca kërkon praninë e të dy palëve. Zonja Kryemadhi kishte dijeni, por nuk u paraqit”, deklaroi avokati i Metës.

Meta ka depozituar kërkesën për divorc më 20 qershor 2024, duke kërkuar zyrtarisht zgjidhjen e martesës së tij 26-vjeçare me Kryemadhin, me të cilën ka tre fëmijë. Vendimi për ndarjen erdhi në një kohë kur ai dhe bashkëshortja e tij janë duke u hetuar nga SPAK për akuza të pastrimit të parave, korrupsionit dhe mosdeklarimit të pasurisë, në lidhje me dosjen CEZ-DIA dhe lobimet e LSI-së në SHBA. Meta u arrestua më 21 tetor 2024 dhe ndodhet në paraburgim.

Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë, Meta përmend si arsye të divorcit mosdakordësitë politike dhe përplasjet e vazhdueshme mes tyre. Sipas tij, këto mosmarrëveshje u shndërruan në konflikte të shpeshta që tronditën marrëdhënien e tyre bashkëshortore dhe e bënë të pamundur vazhdimin e saj. Dokumentet tregojnë gjithashtu se marrëdhënia mes tyre ishte ndërprerë muaj më parë, përpara depozitimit të kërkesës për divorc.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights