Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, ka reaguar publikisht pas përmendjes së saj në dosjen hetimore të SPAK në lidhje me çështjen e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të tjerëve. Para mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Bushka mohoi çdo përfshirje në veprime antiligjore, duke theksuar se për këtë çështje ka mësuar vetëm përmes mediave.
Ajo pranoi njohjen dhe miqësinë me Erion Veliajn dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, por theksoi se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të paligjshme dhe as nuk është kontaktuar nga organet hetimore.
“Jam informuar për këtë situatë vetëm përmes mediave. Kam punuar me përkushtim dhe integritet në çdo detyrë që kam mbajtur. Nuk ka asnjë moment ku unë të kem ndërhyrë në mënyrë të paligjshme. Akuza të tilla nuk mund të cenojnë as dinjitetin tim dhe as punën time,” u shpreh Bushka.
Deputetja gjithashtu foli për kushërirën e saj, Ina Goxhaj, e cila përmendet në dosje, duke thënë se e ka këshilluar atë për të respektuar të drejtat e saj dhe për të kërkuar një avokat.
“Nuk kam tentuar asnjëherë të ndikoj në dëshmitë e askujt. Kam biseduar me kushërirën time dhe e kam këshilluar të thotë të vërtetën dhe të marrë avokat. Nuk e di çfarë ka ndodhur gjatë hetimeve, por më shqetëson fakti që disa persona janë presionuar për të dhënë dëshmi të caktuara,” deklaroi ajo.
Bushka shtoi se përmendja e emrit të saj në këtë dosje, për një shërbim që bashkëshorti i saj ka ofruar prej vitit 2006 me një vlerë të papërfillshme monetare, është e pajustifikuar.
“Si mund të përbaltet emri im dhe familja ime për një kontratë mirëmbajtjeje me vlerë 112 mijë lekë? Si mund t’ua shpjegoj këtë fëmijëve dhe familjes sime?” tha ajo me tone të forta.
Në fund, Bushka nënvizoi shqetësimin e saj për mënyrën sesi po zhvillohen hetimet dhe vuri në dukje se ka pasur problematika të ngjashme të ngritura më parë edhe në nivel ndërkombëtar.
