Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është arrestuar ditën e djeshme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, pasi akuzohet për kryerjen e disa veprave penale. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën.
Në reagimin e djeshëm të SPAK thuhet se Veliaj në bashkëpunim me bashkëshorten e tij kanë vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, marrjen e përfitimeve të parregullta, nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, me qëllim pasurimin personal dhe familjar.
SPAK thotë se nisur nga provat e administruara, në të paktën 10 raste, krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale nga Xoxa dhe Veliaj. Në dosjen hetimore të SPAK, thuhet se Xoxa ka harxhuar miliona lekë, euro e paund vetëm për të blerë, ndërsa në dosje përmendet dhe blerja e një fustani në vlerë 35 mijë euro.
Vetëm duke parë shifrat dhe shumat e përfitimeve nga fondet apo dhënia e lejeve të ndërtimit, apo edhe nga shpenzimet e Xoxës, kuptohet se çifti i bashkëshortëve bëntë një jetë luksoze. Por ndryshe deklaronte, kryebashkiaku disa vite më parë në një emision televiziv shprehej se bënte një jetë modeste dhe se kishte një derrkuc, ku mbanin kursimet e tyre “modeste”.
Veliaj: Ne bëjmë një jetë shumë modeste. Është turp ta themi, por ne realisht kemi një derrkuc të vogël, një nga ato që vihen kursimet.
Xoxa: Shumë jo e elaboruar si mënyrë kursimi.
Veliaj: Nuk jua rekomandojmë, më mirë mbajini kursimet në bankë. Ajo që dimë të themi është se kemi një xhep të vogël edhe kshu si padashur gjithmonë vëmë diçka mënjanë. Dhe kur bëhet mjaftueshëm gjejmë një mënyrë të shpejtë dhe të lirë për të udhëtuar.
Ndërkohë teksa rekomandonte se mënyra më e mirë për të ruajtur kursimet është një llogari, asokohe Veliaj edhe pse ndryshe deklaronte në televizion, ndryshe kishte bërë në të vërtetë. Në dosjen hetimore të SPAK, Veliaj nga verifikimet ka rezultuar me 15 llogari bankare, ndërsa bashkëshortja me 16 llogari.