Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë dosjen e Mario Përlleshajt, të miturit të akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij, Martin Cani, dhe plagosjen e Luis Meçjas. Ngjarja e rëndë, e cila ndodhi pas një konflikti mes të rinjve jashtë ambienteve të shkollës, tronditi opinionin publik dhe ngriti pikëpyetje mbi sigurinë në institucionet arsimore.

Sipas Prokurorisë, Përlleshaj do të përballet me akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese”, ndërsa hetimet për përgjegjësinë e stafit shkollor vijojnë të jenë në proces, me akuzën e mundshme për “Shpërdorim detyre”. Autoritetet po shqyrtojnë nëse neglizhenca e shkollës mund të ketë luajtur një rol në përshkallëzimin e konfliktit mes të miturve.

Përleshja mes 14-vjeçarëve, që dyshohet se kishte nisur më herët edhe në rrjetet sociale, përfundoi në tragjedi kur Cani u godit me thikë, duke humbur jetën, ndërsa Meçja mbeti i plagosur. Përlleshaj ndodhet aktualisht në paraburgimin e të miturve në Kavajë, në pritje të procesit gjyqësor.

Ngjarja ka nxitur reagime të forta nga shoqëria dhe prindërit, të cilët kanë organizuar protesta duke kërkuar masa urgjente për të garantuar sigurinë në shkolla. Gjithashtu, qeveria ka paralajmëruar masa të reja për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit, me TikTok-un si një nga platformat kryesore që mund të përballet me rregulla më të rrepta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights