Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rubrikën “Sy m’Sy” në rrjetet sociale. Ai e cilësoi këtë proces si “të çuditshëm” dhe nuk i kurseu kritikat ndaj SPAK, duke e konsideruar hetimin si të bazuar në një “novelë anonime”.
Sipas kryeministrit, largimi i Veliajt nga detyra pa një proces gjyqësor përbën një veprim që lë kryeqytetin pa drejtim.
“Marrja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla që janë krimet që pretendohet se janë zbuluar. Për ta lënë Tiranën pa kryetar bashkie. Këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm, i nisur nga një novelë pafundësi fletësh, novelë anonime, dorëzuar në Shkurtin e kaluar, pak, që ka pjellë një roman nga 400 faqe, afërsisht”, tha Edi Rama.
Pavarësisht premtimeve të mëparshme se nuk do të komentonte veprimet e drejtësisë ndaj anëtarëve të Partisë Socialiste, ky zhvillim e ka bërë atë të ndryshojë qëndrim.
“Nuk ka më pse të mos ti shprehim dhe opinionet kritike. Heshtja jonë patjetër që i ka ndihmuar shumë institucionet e reja të drejtësisë, deri këtu. Asnjë pendesë, asnjë pendesë për heshtjen këto 5 vjet, por, me shumë gjasë, besoj, në dritën e zhvillimit më të fundit, heshtja jonë është keqkuptuar”, tha Rama.
Në lidhje me akuzat e ngritura ndaj Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Rama ironizoi mënyrën se si është ndërtuar hetimi.
“Flitet për shtëpinë e të vjehrrit dhe për faktin që aty janë gjetur rrobat e fëmijës së tij. Kjo është marrë si argument për ta akuzuar se nuk e ka deklaruar si pasuri. Nuk e di, do ta shikojmë me prova”, shtoi kryeministri.
Në lidhje me kërkesat për dorëheqjen e tij pas arrestimit të Veliajt, Rama u përgjigj prerë:
“Dorëheqjen duhet ta harroni. Ka vetëm dy mënyra për të më larguar nga politika: Ose më ndalon zemra ose më largon populli me votë”.
Duke iu referuar opozitës, ai ironizoi edhe angazhimin e Chris LaCivita në fushatën e Partisë Demokratike, një strateg i njohur i fushatave të Donald Trump në SHBA.
“Opozita jonë ka pasur një moment entuziazmi dje, sikur adoleshentët që bëjnë dashuri me foton e një aktoreje në mur, sepse sollën një konsulent që ka punuar me Trump-in”, tha Rama.
Në përfundim, ai u shpreh i bindur se Partia Socialiste do të sigurojë një mandat të katërt më 11 maj, duke garantuar vijimin e reformave dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.