Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, hap ky që vjen pas arrestimit të djeshëm, të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Kreu i qeverisë ka mbërritur në Bashki rreth 1 orë pas komunikimit të tij live me ndjekësit në rrjetet sociale ku foli për prangosjen e Veliajt.
Në takimin me kryeministrin Edi Rama kanë qenë 5 nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, Keti Luarasi dhe Anuela Ristani, Frida Pashako dhe Jonida Halili.
Rama u shpreh më herët se kryebashkiaku Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij po trajtohen si kriminelë. Ai tha se Veliaj u arrestua pa gjyq, ndërsa shtoi se gjykatësi “dënoi” edhe një fëmijë 6 vjeç të cilin nuk ka kush ta shoqërojë në shkollë.
Kryeministri theksoi se procesi hetimor ndaj Veliajt është i çuditshëm, ndërsa shtoi se gjithçka nisi nga një novelë anonime në shkurt të vitit të kaluar kur një person me gjeneralitetet Nesti Angoni kallëzoi në SPAK, kryetarin e Bashkisë së Tiranës.