Një ngjarje e rëndë ka tronditur Balldrenin e Lezhës, ku një i ri është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij. Viktima, i identifikuar si 25-vjeçari Romario Brunga, dyshohet se i ka dhënë fund jetës me armë zjarri, sipas hetimeve paraprake të policisë.
Grupi hetimor ka mbështetur këtë pistë bazuar në gjetjet në vendngjarje dhe dëshmitë e familjarëve, të cilët nuk kanë raportuar probleme apo shenja depresioni tek i riu. Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar një plagë me armë zjarri në ballë dhe shenja në dorën që mendohet se ka mbajtur armën. Gjithashtu, kamerat e sigurisë e kanë fiksuar viktimën të vetëm para momentit tragjik, ndërsa arma është gjetur brenda makinës.
Detajet e skenës së ngjarjes përforcojnë dyshimet mbi vetëvrasjen, pasi plumbi nuk mund të jetë qëlluar nga jashtë dhe xhami i përparmë i automjetit nuk ka shenja dëmtimi. Megjithatë, autoritetet po vijojnë hetimet për të përjashtuar çdo pistë tjetër të mundshme.
Romario Brunga punonte si kamarier në zonën e Balldrenit dhe nuk dihej të kishte konflikte apo shqetësime të mëparshme. Tragjedia ka tronditur familjarët dhe të njohurit e tij, ndërsa policia po vijon punën për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.