Një ngjarje tronditëse ka ndodhur sot në qytetin e Lezhës, ku një i ri 25-vjeçar, i identifikuar si Romario Brunga, është gjetur i vdekur në automjetin e tij në rrugën e vjetër të Balldrenit. Burime nga policia bëjnë të ditur se në makinën e viktimës është gjetur një armë zjarri tip pistoletë, si dhe një gëzhojë, duke ngritur dyshime mbi natyrën e ngjarjes.
Ekspertët e kriminalistikës kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se makinë nuk ka pësuar dëmtime të jashtme nga plumbat, çka përjashton mundësinë e një përleshjeje të armatosur ose sulmi të drejtpërdrejtë nga jashtë. Viktima ka pësuar vetëm një plagë nga arma e zjarrit, e cila ende nuk ka mundur të sqarohen plotësisht rrethanat se si është shkaktuar.
Për momentin, hetimet janë përqendruar në dy pista kryesore: mundësia e një vetëvrasjeje ose një vrasjeje e maskuar. Ekspertët kanë nisur analiza të mëtejshme për të zbardhur rrethanat e këtij incidenti, përfshirë analizën e armës dhe provave të tjera si ADN dhe gjurmë gishtërinjsh.
Policia ka rrethuar zonën për të siguruar provat dhe për të parandaluar çdo ndërhyrje që mund të dëmtojë hetimet. Familjarët e viktimës janë thirrur për të dhënë dëshmitë e tyre dhe për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave që mund të kenë çuar në këtë tragjedi.