Ministri izraelit i Mbrojtjes tha se ka udhëzuar ushtrinë që të përgatisë plane që një numër i madh i palestinezëve të largohen “në mënyrë vullnetare” nga Rripi i Gazës, në linjë me propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për territorin e shkatërruar nga lufta.

Israel Katz tha se plani “do të përfshijë opsione për t’u larguar përmes pikakalimeve tokësore si dhe një marrëveshje të posaçme për largim nga deti dhe ajri”. Ai tha se mirëpret planin “e guximshëm të Trumpit, që mund të lejojë një pjesë të madhe të popullsisë së Gazës të largohet në pjesë të ndryshme të botës”.

Katz nuk tha se nëse palestinezët do të mund të ktheheshin një ditë në Gazë, territor që është bërë gjerësisht i pabanueshëm pas 15 muajsh luftë. Më herët gjatë javës, Trump propozoi që shumica e popullsisë së Gazës të vendosej “në mënyrë të përhershme” diku tjetër derisa SHBA-ja të rindërtonte territorin.

Zyrtarët amerikanë më pas thanë se zhvendosja do të ishte vetëm e përkohshme, por palestinezët kanë shprehur frikën se Izraeli nuk do t’i lejojë që të kthehen më. Detajet e planit të Trumpit, që u përmend për herë të parë muajin e kaluar, mbeten të paqarta. Ende nuk dihet se nën çfarë autoriteti mund ta merrte SHBA-ja nën kontroll Gazën ose si do të zhvendoseshin 2.3 milionë banorët e saj.

Propozimi i presidentit amerikan ka shkaktuar shqetësim se mund të rrezikohet marrëveshja e brishtë e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez që ka udhëhequr Gazën që nga viti 2007.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights