Pas gati pesë muajsh në burg për çështjen “Babale”, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji vijon betejën e tij ligjore, duke kërkuar rrëzimin e vendimit të gjykatave të mëparshme. Ai ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kundërshton vendimin e Apelit që e dënoi me një vit burg për veprën penale “kallëzim i rremë”.

Rekursi i tij është regjistruar në shkallën e tretë të gjyqësorit, ndërsa çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Sokol Binaj, i cili ka caktuar datën 11 mars për seancën gjyqësore.

Ervin Salianji ndodhet në burgun e Fierit që prej 27 shtatorit, pasi Apeli vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin e tij me heqje lirie. Ai u shpall fajtor në lidhje me një audio-përgjim ku pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafik droge.

Ndërkohë, ish-deputeti dhe mbështetësit e tij politikë, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha, e cilësojnë këtë vendim si të motivuar politikisht. Salianji ka deklaruar se po përballet me një ndëshkim të padrejtë, pasi në çdo betejë elektorale me Partinë Socialiste ka dalë fitues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights