Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të kthejë sërish në SPAK dosjen e ish-shefit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë në QSUT, Edvin Prifti, duke i dhënë prokurorisë dy muaj kohë shtesë për të përfunduar hetimet.
Vendimi u mor gjatë një seance gjyqësore të mbajtur këtë të martë, ku gjyqtarja Elsa Ulliri i kërkoi prokurorit Sotir Kllapi të rikryejë aktin e ekspertimit financiar. Kjo është hera e dytë që dosja kthehet për plotësim, pasi një vendim i ngjashëm ishte marrë edhe në shtator të vitit të kaluar.
SPAK ka zhvilluar një hetim katërvjeçar ndaj Priftit, duke e akuzuar atë për katër vepra penale: “korrupsion pasiv” në 7 raste, “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “fshehje të ardhurash” dhe “pastrim parash”. Sipas hetimeve, Prifti dyshohet se ka marrë pagesa për shtatë ndërhyrje kirurgjikale në QSUT, ndërkohë që gjatë kontrollit në banesën dhe zyrën e tij, u sekuestruan shuma të konsiderueshme parash të mbajtura cash.
Pas kërkesës së SPAK, GJKKO pritet të rivlerësojë dosjen në seancën e radhës, e cila është caktuar të mbahet më 7 prill.