Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e dy vëllezërve Sabri dhe Novruz Velaj, të cilët u gjetën të pajetë në banesën e tyre në fshatin Çorrush të Mallakastrës. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ata kanë humbur jetën për shkaqe natyrale rreth katër deri në pesë ditë më parë.
Burime nga Policia e Fierit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në rrethana tragjike. Sabri Velaj, 90 vjeç, dyshohet se ka tentuar të vishet, por ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar, duke pësuar një goditje fatale në kokë. Ndërkohë, vëllai i tij, Novruzi, 85 vjeç, i cili ishte i paralizuar prej vitesh, dyshohet se ka dëgjuar zhurmën dhe ka tentuar të hapë derën për ta ndihmuar, por nuk ka mundur. I mbetur i vetëm dhe pa ndihmë, edhe ai ka ndërruar jetë brenda së njëjtës ditë.
Vëllezërit Velaj jetonin të vetëm, mbështetur vetëm në pensionet e pleqërisë, dhe nuk kishin familjarë të afërt. Banesa e tyre ishte rikonstruktuar tre vite më parë nga Bashkia e Mallakastrës, por izolimi i tyre dhe mungesa e përkujdesjes rezultuan fatale.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e vogël të fshatit Çorrush, ku banorët ishin të parët që dyshuan për fatin e tyre, pasi nuk i kishin parë për ditë me radhë dhe afër shtëpisë së tyre ndihej një erë e rëndë.
Autoritetet kanë përfunduar hetimet dhe konfirmojnë se bëhet fjalë për një vdekje natyrale, ndërsa rasti ka ngritur sërish shqetësimin për jetën e të moshuarve që jetojnë të vetëm dhe pa përkujdesje.