Kina paralajmëroi vendosjen e taksave reciproke doganore ndaj Shteteve të Bashkuara, pas hyrjes në fuqi këtë të martë të tarifave të importit në masën 10% për të gjitha prodhimet kineze që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët e doganave në Pekin shpallën tatimin me 15% për importin e qymyrit dhe gazit natyror nga Shtetet e Bashkuara.

Nafta e papërpunuar, makineritë bujqësore, makinat luksoze me fuqi të lartë dhe kamionçinat amerikane do t’u tatohen me 10%. Sipas mediave, tarifat e larta të importit për prodhimet amerikane pritet të hyjnë në fuqi të Hënën tjetër, ndonëse ato shihen më shumë si përpjekje e Pekinit për të detyruar Donald Trampin të ulet në bisedime dhe të heqë tarifat doganore të nënshkruara prej tij.

Edhe presidentja e Komisionit Europian Ursula fon der Lajen iu përgjigj paralajmërimeve të Trampit nga samiti informal i liderëve të unionit të Bruksel, ku paralajmëroi Uashingtonin me kundërtarifa të ashpra nëse ndërmerr të njëjtin hap si ndaj Kinës.

Të Hënën, shefi i Shtëpisë së Bardhë shtyu me një muaj zbatimin e tarifave të larta të importit me 25% ndaj Kanadasë dhe Meksikës, pas marrëveshjeve të arritura në bisedat telefonike me liderët e dy vendeve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights