Policia e Elbasanit arrestoi 3 shtetas në kuadër të një hetimi një mujor, pasi kanë kërcënuar me jetë një biznesmen që të tërhiqej nga një tender që kishte fituar nga bashkia e Tiranës, me firmën që ai administronte.
Operacioni policor i koduar “Tenderi” u zhvillua nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Specialistët e strukturave hetimore të DVP Elbasan, mbështetur nga inteligjenca informative se, disa shtetas kishin kanosur administratorin e një firme në Cërrik dhe vijonin ta shtrëngonin që të tërhiqej nga një procedurë tenderimi që kishte fituar në bashkinë e Tiranës, kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila regjistroi procedimin penal.
Pas një hetimi proaktiv njëmujor, strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tenderi”.
Në kuadër të këtij operacioni u kapën dhe u ndaluan shtetasit:B., 37 vjeç, A. A. 27 vjeç dhe Sh. A., 62 vjeç, tre banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. K., 38 vjeç, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shtrënguar me anë të kanosjes, shtetasin E. M., administrator i një biznesi me qendër në Cërrik, Elbasan, duke i kërkuar që të tërhiqej nga një procedurë konkurrimi (tender publik), e fituar në bashkinë e Tiranës, nga firma e që ai administronte. Shtetasi E. M. nuk ka pranuar të tërhiqet dhe këta shtetas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti i përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare.
Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

