Bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Ajola Xoxa ka ankimuar kontrollin e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit në apartamentet e saj në Sky Tower. Ditën e sotme Xoxa, ka dorëzuar një ankimin në shkallën e parë të GJKKO-së, pasi sipas saj ajo godinë përdorej si magazinë për mbajtjen e sendeve personale edhe pse ishte e regjistruar si apartament.
Mëngjesin e 6 dhjetorit me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular.
Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të Veliajt. Vetë Prokuroria e Posaçme nuk dha detaje, por u mjaftua të shpjegojë se ka kryer disa “veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”. Ndaj Veliajt ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë “5D”, që zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë.
Nga kontrolli i dytë i ushtruar me urdhër të SPAK për llogari të hetimeve që po kryen prokurori Ols Dado, agjentët sekuestruan disa sende, mes tyre materiale që pritet ti shërbejnë hetimit. Më herët janë ushtruar kontrolle edhe në banesën e Arbër Veliajt, në zyrën e tij si dhe iu ushtrua kontroll personal Ajola Xoxës, ku me urdhër te organit të akuzës iu sekuestrua aparati celular.