Prokuroria e Posaçme ka reaguar pas akuzave të Partisë së Lirisë për ndalimin e eurodeputetit Fredi Beleri dhe kryetarit të PBDNJ, Vangjel Dule, nga takimi me presidentin e PL-së, Ilir Metën në burgun 313 në Tiranë.
Në reagimin e SPAK thuhet se bazuar në nenin 51 të ligjit nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, vizitat e deputetëve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale nuk kërkojnë autorizim nga Prokuroria, por janë në kompetencë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Sipas SPAK deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur.
Reagimi i plotë i SPAK:
Në bazë të nenit 51 të ligjit nr.81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit. Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur.