Hetimet e operacionit të gjerë të koduar “Revanshi” kanë përfunduar dhe Prokuroria e Posaçme ka nisur zyrtarisht komunikimin e akuzave ndaj anëtarëve të 7 grupeve kriminale të përfshira në veprimtari të rënda kriminale. Pas këtij hapi, pritet që çështja t’i kalojë gjykatës për shqyrtimin paraprak.

Në mesin e të akuzuarve nuk janë vetëm persona me precedentë penalë, por edhe ish-zyrtarë të rëndësishëm të policisë dhe individë me lidhje me politikën. Mes tyre spikat emri i ish-drejtorit të Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, si dhe ai i ish-deputetit Arben Ndoka dhe Armando Ndrecës.

Sipas hetimeve, këto grupe kriminale vepronin në disa qytete të vendit, përfshirë Lezhën, Durrësin, Krujën, Tiranën, Vlorën, Burrelin dhe Rrëshenin, duke shtrirë aktivitetin e tyre në një territor të gjerë. Operacioni i ndërmarrë në maj të vitit 2024 çoi në arrestimin e 20 personave, nga të cilët 14 u ndaluan në Shqipëri, ndërsa 6 të tjerë u kapën jashtë vendit – dy në Itali, një në Gjermani, një në Spanjë dhe dy në Belgjikë.

Një nga goditjet më të rëndësishme të këtij operacioni ishte zbërthimi i strukturës së grupit kriminal të Ervis Martinajt. Sipas SPAK, Martinaj kishte krijuar aleancë me grupin e drejtuar nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, dhe bashkëpunonte ngushtë me grupin e Avdylajve në Durrës. Këto grupe rekrutonin vrasës me pagesë, të cilët vepronin kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe Burrelit.

Operacioni “Revanshi” konsiderohet një nga aksionet më të rëndësishme kundër krimit të organizuar në Shqipëri, ndërsa pritet që procesi gjyqësor të hedhë më shumë dritë mbi veprimtarinë e këtyre grupeve dhe lidhjet e tyre me segmente të ndryshme të shoqërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights