Pas një seance që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të së premtes dhe pa praninë e opozitës në sallë, mazhoranca rrëzoi në Kuvend njëra pas tjetrës kërkesat e demokratëve.
Ashtu siç vepruan me mandatin e deputetes Olta Xhaçka, me forcën e kartonëve shumica vendosi të mos ia besojë edhe çështjen e socialistit Vullnet Sinaj togave të zeza të “Kushtetueses”, ku votës kundër të deputetëve socialistë iu bashkua i vetmi demokrat në sallë Bujar Leskaj.
Të njëjtin fat pati edhe kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor për projektin “Marina & Jahtet e Durrësit” dhe ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, por tek kjo nismë Leskaj mbështeti kërkesën e grupit parlamentar.
Me votat e shumicës u miratua edhe ligji për investimet strategjike, që zgjat me dy vite afatin e përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet me 4 dhe 5 yje.Tatimi mbi të ardhurat nuk arriti të marrë votat e të gjithë socialistëve, pas abstenimit të tre deputetëve, Majko, Koçi e Braçe.
Kuvendi ndezi dritën jeshile edhe për ndryshimet në aktin normativ, që i hap rrugë bonusit të pranverës për pensionistët, që do të shpërndahet në muajin shkurt.
Huaja e BERZH-it për mbylljen e punimeve të hekurudhës Tiranë Durrës dhe ndërtimin e linjës për në Aeroportin e Tiranës, krahas votës së socialistëve, mori edhe atë të demokratit Leskaj.