Kryeministri Edi Rama siguroi sot se qeveria do të mbështesë çdo iniciativë për përpunimin e bimëve mjekësore, ndërsa nënvizoi edhe rëndësinë e përdorimit të teknologjisë për zhvillimin e kësaj industrie.
Kryeministri Edi Rama mbajti sot një fjalë në konferencën e katërt kombëtare të industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, ku theksoi rëndësinë e përpunimit në vend të bimëve mjekësore dhe eksportin e nënprodukteve të tyre.
“Nëse duam që t’i japim një hov të mëtejshëm industrisë së bimëve mjekësore, nëse duam të krijojmë vlerë të shtuar më të madhe, nëse duam që sipërmarrësit tanë, kompanitë tona të rriten dhe nëse duam që patjetër edhe të ardhurat nga kjo industri të marrin një përmasë tjetër, e para është fillimi i një pune shumë më serioze. Ka disa shenja, por janë shenja të zbehta për ta përpunuar këtu produktin. Marrja e gjithë atij produkti, me gjithë atë mundim dhe çuarja jashtë në gjendje të papërpunuar është një humbje shumë e madhe e një vlere që e përfitojnë të tjerët, ndërkohë që atë vlerë ne mund ta krijojmë këtu në një pjesë të konsiderueshme”, tha Rama.
Ai vlerësoi se, sipërmarrësit shqiptarë që operojnë në këtë fushë janë të lidhur me rrjetet industriale botërore, kanë akses, gëzojnë respekt dhe mbi të gjitha, i kanë financat e mjaftueshme për të synuar, në bashkëpunim me qeverinë që të kalojnë në një tjetër proces të përpunimit të bimëve aromatike-mjekësore.
“Mund të synojnë prodhimin në vend të nënprodukteve të tyre, për eksport përsëri, në bashkëpunim me firma, në bashkëpunim me baza teknologjike të nivelit të parë. Kjo është e domosdoshme. Kemi bërë shumë mund si popull, si vend, si grupe biznesi dhe krahë pune për të nxjerrë nga toka jonë minerale e për të nxjerrë produkte të tjera, deri tek bimët medicinale dhe për t’i nxjerrë jashtë pa i përpunuar. Është humbje shumë e madhe”, tha Rama.
Ai solli në vëmendje industrinë minerare, ku sipas tij, “ka një sërë fabrikash që përpunojnë”.
“Është ajo që duhet të jetë në vëmendjen e çdo investitori serioz në këtë fushë dhe në vëmendjen e çdo kompanie serioze në këtë fushë për të rritur në mënyrë eksponenciale vlerën dhe për të rritur të ardhurat. Pa dyshim kjo kërkon kurajo, kërkon investim, kërkon projekte të mirëmenduara, por të gjitha këto sot janë më të lehta se ç‘ishin kur juve keni nisur këtë rrugë, sepse sot ju nuk jeni ata që ishit. Keni shumë më tepër informacion, keni shumë më tepër dije, keni më tepër lidhje dhe keni më tepër lekë”, tha ai.
Po ashtu, Rama theksoi se, shumë e rëndësishme është shfrytëzimi më i madh i teknologjisë.
“Teknologjia e lartë dixhitale ka bërë dhe po bën kapërcime të mëdha dhe ne e kemi parë këtë hajër të teknologjisë në të gjithë proceset e organizimit të qeverisjes dhe të marrëdhënieve me qytetarët dhe me biznesin përmes platformave, përmes kanaleve të reja të komunikimit, të cilat po i zgjerojmë dhe jemi duke përgatitur disa produkte të tjera teknologjike për të lehtësuar ende më shumë procesin e punës dhe të ndërveprimit të njerëzve dhe bizneseve me shtetin”, tha ai.
Duke sjellë në vëmendje “Portalin e Fermerit”, Rama tha se, ky portal shumë shpejt do të bëhet asistent personal i çdo fermeri në çdo pikë të Shqipërisë, duke i dhënë të gjitha informacionet e nevojshme në kohë reale dhe duke i ndihmuar për të ditur ekzaktësisht se çfarë duhet të bëjë, nëse natyrisht kërkon të mbështetet në dije.
“Prodhimin e merr tregu dhe tregu është i egër, është i vështirë, është kompleks. Nuk është më e mjaftueshme që të vazhdosh atë që ke mësuar të bësh gjithmonë sepse të tjerët vrapojnë dhe të sfidojnë me inovacion, me produkte më të mira e kështu me radhë. Dhe për të gjitha këto duhet dije dhe për të gjitha këto ju mund të keni, jo dy shoqata, mund të keni edhe 13 shoqata, por kur bëni takimet bëjini bashkë. Kjo historia që gjithë shqiptarët ndahen si shqiponja me dy, tre, shtatë koka është histori që ne nuk e rregullojmë dot, por të paktën këto koka nuk kanë nevojë të kafshojnë njëra-tjetrën”, tha ai.