Qeveria ka miratuar projektin i cili i hap rrugë krijimit dhe funksionimit të “Durana Tech Park” si parku i parë teknologjik në Shqipëri.
Këtë vendim e bëri të ditur Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inoviacionit, Blendi Gonxhja, i cili përpara gazetarëve tregoi se ky projekt synon të pozicionohet si një qendër e fuqishme zhvillimi ekonomik dhe inovativ.
“Miratuam sot planin e zhvillimit të detajuar që i hap rrugë krijimit dhe funksionimit të Tirana Durana Park si i pari park teknologjik në Shqipëri dhe që synojmë ta pozicionojmë si një qendër të fuqishme të zhvillimit ekonomik dhe inovativ, i cili natyrisht do të konkurrojë në rajon dhe globalisht duke sjellë përparësi strategjike dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për vendin”, tha Blendi Gonxhja.
Më tej, Ministri Gonxhja shpjegoi dhe qëllimin kryesor të këtij projekti, teksa sqaroi se ku do të fokusohet parku më i ri teknologjik i Shqipërisë.
“Qëlllimi i Tirana Durana Park është që të krijojë një mjedis të veçantë ekonomik dhe teknologjik që ofron kushtet e favorshme për zhvillimin e industrive të avancuara. Fokusi i tij është të nxisë investimet vendase dhe të huaja dhe të krijojë një territor me një regjim fiskal dhe doganor të lehtësuar”, tha Gonxhja.