Një grup prej 49 emigrantësh nga Bangladeshi, Egjipti, Gambia dhe Bregu i Fildishtë ka mbërritur në portin e Shëngjinit mëngjesin e 28 janarit. Ata u transportuan nga anija e marinës italiane Cassiopea, pasi u kapën në brigjet e Lampedusas. Ky operacion përbën një tjetër përpjekje për të zbatuar marrëveshjen e arritur mes qeverisë italiane dhe kryeministrit Edi Rama për menaxhimin e flukseve migratore.

Shumica e emigrantëve janë shtetas nga Bangladeshi. Menjëherë pas mbërritjes, ata u ndaluan në portin e Shëngjinit, ku është ngritur një hotspot i përkohshëm për kryerjen e kontrolleve shëndetësore. Sipas mediave italiane, nëse do të konstatohen kushte vulnerabiliteti shëndetësor apo të tjera emergjente, emigrantët do të rikthehen në Itali, siç ka ndodhur në raste të ngjashme gjatë muajve të fundit.

Pas kryerjes së procedurave fillestare, përfshirë ushqyerjen, pajisjen me veshje të reja dhe identifikimin e tyre, emigrantët do të dërgohen në kampin e Gjadrit. Ky kamp është përshtatur për të strehuar azilkërkuesit gjatë periudhës që pritet shqyrtimi i kërkesave të tyre për azil.

Në rastet kur kërkesa për azil refuzohet, emigrantët do të transferohen në një zonë të posaçme brenda kampit, e cila është ndërtuar për menaxhimin e personave që nuk respektojnë rregullat ose që mund të përfshihen në veprimtari të paligjshme gjatë qëndrimit në Shqipëri.

Ky zhvillim vjen si pjesë e një politike të re bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë për menaxhimin e flukseve migratore, një sfidë që ka përfshirë rajonin Mesdhetar vitet e fundit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights