Presidenti i SHBA Donald Trump tha se Jordania dhe Egjipti duhet të pranojnë palestinezët nga Gaza e shkatërruar nga lufta, një sugjerim i hedhur poshtë nga Hamasi, grupi militant palestinez që drejton enklavën, dhe që me sa duket i kundërshtuar edhe nga Jordania dhe Egjipti.
I pyetur nëse kjo ishte një zgjidhje e përkohshme apo afatgjatë për Gazën, ku sulmi ushtarak i Izraelit ka shkaktuar një situatë të tmerrshme humanitare dhe ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz, Trump tha të shtunën: “Mund të jetë e përkohshme ose afatgjatë”. Jordania tashmë mban disa milionë palestinezë, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë jetojnë në Egjipt. Të dy vendet dhe kombet e tjera arabe e kundërshtojnë idenë që palestinezët në Gaza të zhvendosen në vendet e tyre.
Gaza është tokë që palestinezët do ta dëshironin si pjesë të një shteti të ardhshëm palestinez. Ministri izraelit i financave Bezalel Smotrich, i cili ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për kthimin e kolonëve hebrenj në Gaza, e përshëndeti thirrjen e Trumpit duke e quajtur atë “një ide të shkëlqyer” dhe tha se ai do të punojë për të zhvilluar një plan për ta zbatuar atë.
Një zyrtar i Hamasit i bëri ndërkohë jehonë frikës së hershme palestineze se do të dëboheshin përgjithmonë nga shtëpitë e tyre. Palestinezët “nuk do të pranojnë asnjë ofertë apo zgjidhje, edhe nëse oferta të tilla duket se kanë qëllime të mira nën maskën e rindërtimit, siç njoftohet në propozimet e presidentit të SHBA-së Donald Trump,” tha Basem Naim, një anëtar i byrosë politike të Hamasit.
Një tjetër zyrtar i Hamasit, Sami Abu Zuhri, i kërkoi Trumpit të mos përsëriste ide “të dështuara”, të provuara edhe nga paraardhësi i tij Joe Biden. “Populli i Gazës e ka duruar vdekjen dhe ka refuzuar të largohet nga atdheu i tyre dhe ata nuk do ta lënë atë pavarësisht gjithckaje”, tha Abu Zuhri.
Jordania gjithashtu duket se hodhi poshtë sugjerimin e Trump, me Ministrin e Jashtëm të saj Ayman Safadi që u tha gazetarëve se qëndrimi i vendit kundër çdo zhvendosjeje të palestinezëve nga Gaza mbetet “i vendosur dhe i palëkundur”. Ministria e Jashtme e Egjiptit ndoqi shembullin, duke thënë se kundërshton kategorikisht çdo zhvendosje të palestinezëve nga toka e tyre, qoftë kjo “afatshkurtër apo afatgjatë”.
Edhe presidenti palestinez i mbështetur nga perëndimi, Mahmoud Abbas, dënoi komentet e Trump. “Populli ynë do të qëndrojë i palëkundur dhe nuk do të largohet nga atdheu i tij”, tha ai në një deklaratë.