Policia e Mirditës ka arrestuar dy vëllezër gjatë një operacioni të zhvilluar kundër kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike, si dhe armëmbajtjes pa leje. Gjatë kontrollit të ushtruar në një magazinë në pronësi të tyre, policia zbuloi tre thasë të mbushur me kanabis, me peshë totale prej 24.5 kilogramësh.
Operacioni vijoi me kontrollin e banesës së të arrestuarve, ku u gjet një arsenal i gjerë armësh dhe pajisjesh, përfshirë dy armë zjarri kallashnikov dhe pushkë, katër armë gjahu, dy radio komunikimi të ngjashme me ato të policisë, një shkop gome, një shkop bejzbolli dhe mbi 1200 fishekë luftarak.
Sipas njoftimit të policisë, armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen analizave në Institutin e Policisë Shkencore për të përcaktuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.
Dy vëllezërit akuzohen për një sërë veprash penale, duke përfshirë prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve, trafikimin e lëndëve narkotike, fshehjen e të ardhurave, si dhe përdorimin e pajisjeve dhe uniformave pa leje, të gjitha këto të kryera në bashkëpunim.