Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos nuk e fitoi dot betejën me sëmundjen dhe u nda nga jeta mëngjesin e kësaj të shtune në moshën 95-vjeçare.
Lajmi u njoftua nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ndër të tjera bëhet e ditur se Fortlumturia i tij ndërroi jetë në orën 08:30 me orën lokale greke dhe apo në orën 07:30 me orën shqiptare.
“Fjeti më Zotin Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, ANASTASI. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Kryepiskopi ndërroi jetë sot në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve”.
Më tej Kisha fton besimtarët e saj të luten për prehjen në paqe të shpirtit të Kryebariut të ndjerë, ndërsa thekson se Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. “Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet”.
Kryepeshkopi u shtrua në një spital të Tiranës më 30 Dhjetor me simptoma të infeksionit të rëndë dhe më 3 janar, pasi u përkeqësua, u transferua në spitalin grek. Janullatos, ndodhej i shtruar i intubuar në Njësinë e Kujdesit Intensiv të “Evangelismos” pas operacionit që iu nënshtrua pasditen e së premtes së 10 janarit, por nuk mundi t’i mbijetojë orëve kritike pas tentativës për ta nxjerrë nga intubimi, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.