Pas anëtarësimit të vendit në SEPA, sfida e radhës është që bankat tregëtare dhe institucionet të përmbushin të gjitha hapat e nevojshëm për anëtarësimin në skemat SEPA, duke filluar nga prilli i këtij viti, me qëllim që përfitimet të bëhen pjesë e përditshmërisë të qytetareve, bizneseve dhe gjithë aktorëve të tregut.
Kështu u shpreh, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Luljeta Minxhozi, në Workshopin Teknik “Aspektet teknike dhe ligjore të lidhjes me skemat SEPA”, që u zhvillua të premten në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Bankës Botërore, Këshillit Evropian të Pagesave, Bankës Qendrore Evropiane dhe të bankave tregtare që operojnë në vendin tonë.
Ajo e cilësoj anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA një moment historik, jo vetëm sa i përket integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, por dhe për vetë përfitimet, efikasitetin dhe oportunitetet që sjell për ekonominë tonë, për tregun bankar dhe atë financiar.
“Në këtë drejtim dua dhe njëherë t’ju inkurajoj të jeni sa më proaktivë në përmbushjen e këtij objektivi që tashmë është tërësisht një proces që varet nga ju”, tha Minxhozi.
Ajo vuri në dukje se, pavarësisht se ky rrugëtim është individual, ai kërkon një angazhim maksimal dhe bashkëpunim mes palëve që të kryhet në mënyrë efikase dhe të shpejtë.
“Më lejoni t’ju sjell në vëmendje se anëtarësimi në SEPA për secilin nga ju sjell një dimension të ri në të ardhmen e shërbimeve që ju ofroni. Përtej benefiteve që kemi përmendur në vazhdimësi për qytetarët, bizneset dhe ekonominë në tërësi, ky anëtarësim ju vendos në pozicion avangard krahasuar me vendet e tjera të rajonit ku ju jeni prezentë, por që nuk janë ende në SEPA. Nga ana tjetër, anëtarësimi në SEPA po krijon parakushtet e nevojshme për përgatitjen tuaj, në kuadër të integrimit të plotë të vendit në BE”, theksoi Minxhozi.
Në këtë drejtim theksoj ajo, është i nevojshëm angazhim i bankave tregtare në projektet e tjera në fushën e pagesave si open–banking dhe, së fundmi, instantpayment. “Këto projekte janë pashmangshmërisht të ndërlidhura me përgatitjen e tregut tonë për të ardhmen evropiane dhe inovacionin e nevojshëm që ju duhet të zotëroni për të përballuar konkurrencën”, deklaroi Minxhozi.
Ajo nënvizoi se, falë vizionit largpamës dhe strategjik të Bankës së Shqipërisë, mbështetur edhe nga qeveria shqiptare, operacionalizimi i openbanking dhe i instantpayment bazohet tërësisht në standarde dhe praktika të Bashkimit Evropian, duke mundësuar një tranzicion sa më të lehtë dhe efikas të tregut.