Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela deklaroi sot se, ka ngritur një strukturë të posaçme që analizon çdo rast që lidhet me krimet zgjedhore dhe më pas bëhet publike.
Në një prononcim për mediat, pas raportimit vjetor në KLP, Çela tha se, tashmë është bërë e ditur për mediat dhe opinionin publik që janë një sërë masash që është kërkuar të merren nga Prokuroritë Gjyqësore, që kanë të bëjnë me angazhimin e strukturave të prokurorisë në të gjithë fazën zgjedhore dhe post zgjedhore.
“Kjo ka të bëjë me një numër më të madh prokurorësh, të cilët bëhen pjesë e shërbimit të gatishmërisë për të vlerësuar çdo lloj situate. Së dyti ka të bëjë me fokusin me çështjet që lidhen me krimet zgjedhore. Masat janë të njëjtat, angazhimi i prokurorëve është i njëjtë, strukturat janë të njëjtat. Do të kemi 13 prokurori që do të angazhohen sepse më 1 maj fillon aktiviteti i prokurorive me ndryshimin e hartës së re gjyqësorë. Do të vlerësohet çdo material referues që ka të bëjë me krimet zgjedhore”, tha Çela.
Në lidhje me pyetjen se si mund ta trajtoni dekriminalizimin, Çela tha se, “kjo është një çështje shqiptare që ne duam ta zgjidhim ndërkombëtarisht. Ne veprojmë sipas konventave. Që të ndryshojmë këto praktika ndërkombëtarë është e pamundur të bëjmë diçka më tepër. Një pjesë e madhe e shteteve nuk ofrojnë ndihmë juridike për çështjen e dekriminalizimit”.
Në lidhje me pyetjen, a keni marrë indice për persona të përfshirë në krime zgjedhore, pasi jemi në prag fushatë, Çela tha se, “kemi ngritur një strukturë të posaçme që analizon çdo rast që vjen, janë tre persona që merren me fillimin e fushatës. Në çdo raportim që kanë për detyrim ta bëjnë prokuroritë, ne do të bëjmë përpunimin e të dhënave dhe do ta bëjmë të ditur”.

