Gjykata e Ankonës ka shqiptuar një dënim prej 18 vitesh burg ndaj algjerianit Fatah Melloul, 28 vjeç, i cili më 27 gusht 2023 vrau me një shtizë peshkimi 23-vjeçarin shqiptar Klajdi Bitri. Ngjarja e rëndë ndodhi në Sirolo, ku një debat i tensionuar mes dy të rinjve përfundoi në tragjedi.

Incidenti nisi pas një konflikti në rrugën Cilea, që kishte shkaktuar trafik të rënduar. Debati verbal përfshiu edhe disa të afërm të viktimës, përfshirë vëllain, punëdhënësin dhe bashkëshorten e tij. Sipas raportimeve të mediave italiane, pas shkëmbimit të ofendimeve, Melloul u kthye te makina e tij, mori një shtizë peshkimi dhe e përdori për të goditur në gjoks Klajdi Bitrin, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë.

Pas krimit, algjeriani u largua nga vendi i ngjarjes me të dashurën e tij, por u arrestua disa orë më vonë në Falconara, gjatë kthimit nga një peshkim.

Prokuroria kishte kërkuar 24 vite burg për Melloul, por gjykata e dënoi atë me 18 vite heqje lirie për vrasje të rëndë me dashje. Gjithashtu, gjykata vendosi që Melloul të paguajë 40 mijë euro dëmshpërblim për prindërit e viktimës, si një formë kompensimi për dhimbjen e shkaktuar.

Kjo ngjarje ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, duke rritur shqetësimet për sigurinë dhe motivet e dhunës në komunitetet emigrantësh në Itali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights