Policia e Tiranës, në bashkëpunim me AMP-në Rajonale dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Last Call”.
Sipas njoftimit për shtyp të policisë, gjatë këtij operacioni u arrestuan dy persona pasi mashtronin shtetas të huaj, përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive.
Gjithashtu, është proceduar penalisht 1 shtetas tjetër i cili ishte punonjës në subjektin call center.
“Si rezultat i këtij operacioni arrestuan në flagrancë shtetasit E. S., 34 vjeç, F. Q., 23 vjeç, dhe M. K., 32 vjeç, të tre banues në Tiranë dhe po procedohet në gjendje të lirë shtetasi E. R., 33 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit E. S., F. Q. dhe E. R., ishin të punësuar në një subjekt call center dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex”, sqaron policia.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi M. K., me anë të mashtrimit për përfitime monetare, iu kishte premtuar 2 të arrestuarve, se do t’i mbronte nga Policia.
Gjatë operacionit u sekuestruan njësi kompjuterike, USB, aparate celulare, blloqe me shënime me të dhënat e shtetasve të mashtruar, si dhe shuma të ndryshme monetare të përfituara nga mashtrimet.




