Prokuroria e Posaçme ende nuk i ka përfunduar hetimet për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Çështja ka nisur me kallëzimin e Nesti Andonit, ndërsa që prej dhjetorit, BKH ka ushtruar disa kontrolle. Çështja ndodhet ende në fazën e hetimit paraprak, u shpreh kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, gjatë një takimi informal në fillim të vitit me gazetarët.
Një tjetër çështje që vazhdon të jetë nën hetim në Bashkinë e Tiranës lidhet me inceneratorin e kryeqytetit. Hetimet po përqendrohen te personat që kanë përfituar nga ky projekt dhe te dyshimet për pastrim parash. Pjesë e hetimit është edhe zbatimi i kontratës së inceneratorit.
Një tjetër hetim me ndikim politik është ai për vrasjen e katër protestuesve në 21 janar. Megjithatë, Dumani nuk konfirmoi nëse është identifikuar ndonjë zyrtar si i përfshirë. Për sa i përket dëshmitarëve, ai u shpreh se ky është një proces që i përket prokurorëve të çështjes.
“Për dëshmitarët, kjo është kompetencë e prokurorit të çështjes për të thirrur persona të ndryshëm. Po kryhen shumë veprime hetimore. Unë personalisht preferoj që dëshmitarët t’i thërras në fund, pasi të grumbulloj provat dhe t’i ballafaqoj,” tha Dumani.
Ndërkohë, me detyrim paraqitjeje në SPAK ndodhet Sali Berisha. Pretendime për t’u liruar ka shprehur edhe Ilir Meta, por Dumani deklaroi se SPAK respekton vendimet e gjykatave.
“Nuk kemi ndjeshmëri. Respektojmë vendimin e gjykatave. Jemi zbatues të ligjit. Kur nuk kënaqemi, ushtrojmë të drejtën e ankimimit. Për Ilir Metën, hetimi po vijon. Kërkesat e SPAK janë gjetur të drejta nga shkallët e gjyqësorit dhe Kushtetuesja i dha fund të gjithave,” shtoi ai.
Për Berishën dhe Gazment Bardhin, Dumani tha se mund të ketë një hetim të ri për rrjedhjen e sekretit hetimor në çështjen “Toyota Yaris”.
Lidhur me pretendimet e ngritura për përfshirjen e Olsi Ramës në laboratorin e Zibrakës, Dumani deklaroi:
“SPAK ka kryer hetimet dhe ka vendosur pezullimin për moszbulimin e autorëve. Përfshirja e Olsi Ramës u hetua, por nuk u gjet asnjë provë. Hetimet u pezulluan pasi ai nuk është regjistruar si person nën hetim.”
Bisedat e grupeve kriminale në platformën “Sky” kanë zbuluar ngjarje të shumta kriminale dhe përfshirje të mundshme të deputetëve në to. Dumani shtoi se të dhënat e plota vijnë nga vendet partnere dhe se SPAK do të veprojë nëse dalin politikanë të tjerë të përfshirë.
“Kur kemi pasur prova, apo nëse do të kemi, do të godasim çdo nivel politikani. SPAK ushtron ndjekjen penale për këdo,” theksoi ai.
Për më tepër, Dumani konfirmoi nisjen e letrave porosi për zbulimin e pronave të politikanëve jashtë vendit. Ai shtoi se procedurat vazhdojnë edhe për koncesionet “Check-up” dhe sterilizimin, ndërsa brenda janarit SPAK do të prezantojë strategjinë për hetimin e shkeljeve gjatë proceseve zgjedhore.