Konfindustria vlerëson, se ndërtimi i linjës nënujore të energjisë elektrike Shqipëri – Itali është me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik afatgjatë dhe të qëndrueshëm të vendit.
Administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku shprehet se ekonomia shqiptare është përfituese e rëndësishme e zbatimit të projektit për shkak, sepse sigurohet mundësia e eksportit të energjisë elektrike të prodhuar në tregun e pasur të BE si dhe shtimi i pritshëm i investimeve arabe për energjinë e gjelbër.
Ai rendit disa nga përfitimet që vijnë nga ndërtimi i linjës.
“Përfitime janë fuqizimi i sigurisë energjitike, ndikim pozitiv në tregjet financiare të letrave me vlerë dhe rritja domethënëse e rëndësisë gjeostrategjike e Shqipërisë”, u shpreh ai në një deklaratë për mediet.
Më 15 janar, u nënshkrua në Emiratet e Bashkuara Arabe, marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri, ndërmjet, qeverisë së Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës së Italisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
Marrëveshja për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit shënon projektin e parë të këtij lloji për vendin tonë.
Italia do të bëhet vendi i 5-të që Shqipëria do të ketë mundësinë të lidhet me të përmes linjës ndërkufitare të shpërndarjes së energjisë elektrike, pas Kosovës, Malit të Zi, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Lidhja me Maqedoninë e Veriut është aktualisht në fazën e realizimit.